Një ekspozitë me fotografi të realitetit shqiptar të dy periudhave si ajo e diktaturës dhe asaj të tranzicionit, ishte kjo tabloja e asaj çfarë aparati i fotografit francez, i lindur në Algjeri Michel Setboun evidendonte përmes fokusit të tij në ekspozitën e titulluar “Fotoreporteri në kohën e duhur, në vendin e duhur”, zhvilluar në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Luçjan Bedeni, drejtuesi i muzeut “Marubi” dhe njëkohësisht kuratori i ekspozitës vlerësoi arritjet e fotografit të njohur.
Me aparatin e tij, ai ka fiksuar imazhe që i përkasin përditshmërisë dhe dinamikës së jetës ku në to dallon gëzimin dhe hidhërimin, jetën dhe vdekjen, ritualet fetare me rihapjen e objekteve të kultit, dasmën tradicionale, ngjarje të rëndësishme të ndodhura kryesisht në Shkodër etj.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin edhe kryetari i bashkisë Bardh Spahia dhe prefektja e qarkut të Shkodrës Majlinda Angoni.
Prej vitit 1990, Michel Setboun vendosi të punojë si fotograf i pavarur. Krahas angazhimit si fotoreporter, ai ka realizuar edhe shumë fotografi artistike ashtu si edhe libra fotografikë. Punët e tij janë publikuar në revista e gazeta të rëndësishme mes të cilave The New York Times si dhe disa të tjera.
Kjo është ekspozita e tretë në Shqipëri dhe ajo do të qëndrojë e hapur deri në muajin shkurt në muzeun “Marubi”.
