Ishte radha e Shkodrës mbrëmë për të mirëpritur në kinema “Millennium” premierën e filmit “Nji prej nesh”, vetëm pak ditë pas premierës që pati në Tiranë.

Filmi “Nji prej nesh” është i pari me metrazh të gjatë për regjisorin nga Shkodra, Ergys Meta dhe në film trajtohet historia e një efektivi policie, i cili niset të bëjë drejtësi përmes punës me ndërgjegje por kjo i bëhet e pamundur në një qytet ku korrupsioni nuk ka kursyer askënd dhe ka prekur gjithkënd, duke iu kthyer në një boomerang vetë protagonistit.

Pjesë e filmit është edhe Sebina Matlija, një vajzë shkodrane e cila provon këtë përvojë kinematografike jo për herë të parë.

Mesazhi i filmit është ai që kërkon të evidentojë regjisori Meta ndërsa shton se me filmin “Nji prej nesh” synon festivalet ndërkombëtare.

Pjesë e filmit janë një kast aktorësh të rinj gërshetuar me ata të përvojës si: Alban Ukaj, Kasëm Hoxha, Alfred Trebicka, Enkel Gurakuqi dhe Sebina Matlija. Pas Shkodrës, filmi do të vijojë rrugëtimin e tij edhe në qytete të tjera.