Spektatori shkodran ka përjetuar një tjetër mbrëmje të bukur me këngët e festivalit “Luleborë”, në natën finale të edicionit të VII të zhvilluar në teatrin “Migjeni”, i mbushur në të gjithë kapacitetin e tij.
Përveç 17 këngëve pjesëmarrëse nuk munguan as në këtë natë finale emocionet që dhuruan me interpretimet e vargjeve të disa prej poetëve të shquar shkodranë, këngëtarja Ketlin Pjalmi dhe aktori Jozef Shiroka ndërsa festivalin e përshëndeti edhe artisti i njohur Altin Goci duke kënduar dy prej këngëve të grupit Ritfolk.
Juria vlerësoi artistët me çmimet e festivalit ndërsa ishte Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia ai që dha çmimin e parë ku u fitua nga këngëtarja Ana Bushgjokaj me këngën “Zemra kërkon zemrën” me tekst nga Arben Bushgjokaj, muzika nga vetë këngëtarja dhe orkestrimi nga Shpëtim Saraçi ndërsa me çmimin e dytë u vlerësua këngëtari Ylber Tahiri. Çmimi i tretë shkoi për duetin Xhuli Pjetraj dhe Eldis Arrnjeti ndërsa çmimi i interpretuesit më të mirë shkoi për artisten e re Megi Toma.
Në përfundim të kësaj nate finale, protagonistët vlerësojnë atë çfarë dhuroi ky edicion i festivalit.
Edicioni i VII i festivalit “Luleborë” do të vijë për të gjithë shikuesit në ekranin e rrjetit të RTSH në ditët në vazhdim.
