Shiu i rrëmbyeshëm pak para fillimit të natës së parë të festivalit “Luleborë” nuk i ndali spektatorët të mbushnin sallën e teatrit “Migjeni” për të parë nga afër këtë festë të këngës që dhuroi 17 këngë të reja nga artistë me përvojë gërshetuar me më të rinjtë e talentuar të qytetit dhe përtej. Pjesë e konkurimit u bënë edhe disa prej emrave të njohur ndër vite të Festivalit të madh të Këngës në Radio Televizion si kantautori Orges Toçe apo Joe Artid Fejzo.

Emocione përcolli tek publiku nata e parë edhe me interpretimet poetike me vargjet e disa prej shkrimtarëve të shquar shkodranë nën tingujt e Markelian Kapidanit dhe zërit të Ketlin Pjalmit por edhe homazhi për kompozitorin Prenkë Jakova. I veçantë ishte edhe varianti i këngës “Luleborë” kënduar nga sopranoja Ermonela Jaho me dy të rinj me aftësi të veçanta kushtuar njerëzve me Sindromën Down.

Pas përfundimit të kësaj nate të parë, disa prej protagonistëve japin përshtypjet e tyre.

“Luleborë” do të zhvillojë natën e dytë ku do të ndahen edhe çmimet nga juria ndërsa festivali është një ekskluzivitet i rrjetit të RTSH teksa ekipi i palodhur do ta sjellë atë në ditët në vazhdim për të gjithë shikuesit kudo janë.