Si një festë e vërtetë ishte atmosfera që krijuan fëmijët artistë dhe të rinjtë pasditen e djeshme në sallën e koncerteve “Gjon Kapidani” të shkollës artistike “Prenkë Jakova” me festivalin lokal të këngës për fëmijë “Akullore Fest” teksa në skenë u ngjitën artistët e vegjël për të kënduar para publikut të pranishëm që kishte ardhur për t’i ndjekur.
Edhe edicioni i sivjetëm, i cili është i teti ruan traditën e bukur të këngës për fëmijë në qytetin e Shkodrës dhe kjo i jep një veçanti këtij festivali duke synuar që t’i promovojë sa më shumë krijimet artistike për fëmijë.
14 këngët e reja e pasurojnë edhe më shumë fondin e këngës për fëmijë edhe përmes tematikave që trajtojnë por në këtë mënyrë ky festival i shërben edhe evidentimit të talenteve të reja në fushën e muzikës.
Në fund të mbrëmjes muzikore të festivalit “Akullore Fest” juria vlerësoi me çmime këngët më të mira për këtë edicion.
Me çmimin e parë u vlerësua kënga “Bota më e bukur” me tekst nga Mirela Qyteza dhe muzikë nga Oleg Gjerga, orkestrimi nga Andi Unaza dhe kënduar nga dueti Eliza dhe Angjelina.
