Edicioni i XIII i “AniFest Rozafa”, festivalit ndërkombëtar për filmat e animuar përfundoi sot me shpalljen e çmimeve fituese në kinema “Millennium” Shkodër për kategoritë e ndryshme.

Juria ndërkombëtare në bashkëpunim me atë të fëmijëve shpallën filmat më të mirë të festivalit. Për regjinë më të mirë dhe për filmin studentor më të mirë, fitues u shpall filmi nga Meksika “How to dance in this strange world”, për kinematografinë më të mirë “My name is Malum”, për filmin më të mirë studentor të animuar u shpall fitues filmi “Good night” ndërsa për skenarin më të mirë “The esential”. Gjithashtu u dhanë çertifikata vlerësuese edhe për ekipin e fëmijëve të festivalit, të cilët do të jenë pjesë e tij edhe në vazhdimësi.

Drejtori i përgjithshëm i “AniFest Rozafa” vlerëson risitë e këtij viti. Pavarësisht përballjes me mungesën e mbështetjes financiare, drejtori i përgjithshëm Artan Maku siguroi se kjo nuk do të ndikojë në vazhdimësinë e organizimit të tij përsëri në Shkodër.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar për Fëmijë dhe të Rinj “AniFest Rozafa” për tre ditë me radhë shfaqi 49 filma si pjesë e garës së këtij viti nga 30 shtete të ndryshme teksa filmat fitues do të marrin pjesë në Festivalin e Berlinit vitin e ardhshëm.