Shkodra njihet si qyteti i artit dhe tradita e saj edhe në fushën e pikturës është e madhe. Ndër vite ky qytet ka nxjerrë piktorë me emër ndërsa talentet e reja nuk mungojnë e një prej tyre është Evarist Marashi. Shkodrani e ka nisur pikturën që i vogël, madje skicat e para i ka që kur ishte 3 vjeç.
Evaristi kujton mësuesen e tij të parë të pikturës, Liljana Çefa ndërsa rrugëtimi i tij do të vijontë me shkollën artistike “Prenkë Jakova” e më pas me studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Zhanri i pikturës që djaloshi shkodran lëvron është gjithëpërfshirës duke nisur që me portretet dhe peisazhet e deri tek një përzierje që shkon mes simbolizmit, konceptuales apo ekspresionizmit.
Përtej dëshirës së Evaristit, piktura mbetet në kuadrin e pasionit pasi të ardhurat nga ajo janë të pakta ndaj ai po i përqëndron energjitë e tij në punën si dizajner në kryeqytet.
Si një djalë ambicioz, Evaristi ka nisur punën për krijimin e një brand-i të ri origjinal që ka të bëjë me veshjet ndërsa synon që shumë shpejt të sjellë ekspozitën e tij të parë me punime pikture në Shkodër.
