Shumë aktivitete dhe evenimente solli fundjava në Shkodër teksa përfshiu shfaqje teatrale, ekspozita pikture dhe fotografie.
Teatri “Migjeni” hapi dyert sërish për publikun teksa pas koncertit të këngëtarit italian Capossela, radhën e pati premiera e komedisë “Zhurmat përtej skenës” e regjisorit Enke Fezollari, teksa ky i fundit pas shfaqjes u shpreh se Shkodra duke qenë një qytet me potencial të madh artistik, ka nevojë për më shumë vëmendje.
Një ekspozitë krejt ndryshe me 50 punime pikture ishte ajo që solli Lindita Ottarsson nga Norvegjia në galerinë “Oda” në Shkodër. E titulloi “Ninullat” këtë ekspozitë të parë si piktore ndonëse prej vitesh e njohur si soprano. Megjithatë Lindita nuk doli nga profili i saj artistik dhe dashuria për muzikën klasike.

Shkodra njihet ndryshe si qyteti i luleve dhe 24 të tilla u ekspozuan përmes imazheve fotografike të piktorit dhe profesorit Aleksandër Hila në ekspozitën “Lulja sfidon terrin” në bibliotekën “Marin Barleti”, lule këto të rritura në oborrin e tij gjatë kohës së pandemisë ndërsa një tjetër detaj i veçantë ishte telajo e posterit të ekspozitës e vendosur mbi kavaletin e piktorit Simon Rrota.

Aktivitetet e fundjavës tërhoqën vëmendjen e një publiku të gjerë për t’i parë nga afër këto ngjarje artistike.
