Mbrëmja e së dielës rezervoi premierën e filmit “Sofia” të regjisorit Eduart Grishaj në kinema “Millennium” në Shkodër, teksa pjesë e filmit është një kast me përvojë aktorësh ku spikasin shumë shkodranë në mesin e tyre si Tinka Kurti, Rita Gjeka, Antonio Kodrinaj, Jozef Shiroka, Simon Shkreli etj. por pjesë e tij janë edhe aktorë të tjerë si Alfred Trebicka, Çun Lajçi etj.
Regjisori Grishaj i shoqëruar në krah nga partnerja e tij e jetës, prezantuesja e njohur televizive Arbana Osmani thotë se filmi bazohet në histori me ngjarje të vërteta, të rrëfyera edhe në librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit.
Në rolin e djaloshit që bie në dashuri me vajzën serbe, Antonio Kodrinaj shprehet se mesazhi i dashurisë që i kapërcen kufijtë e ndasive edhe kur këto kanë të bëjnë me kombe që janë në luftë me njëri-tjetrin është më i rëndësishmi.

Ngjarjet në filmin “Sofia” zhvillohen në dy kohë. Një vajzë e re serbe viziton Shqipërinë në kërkim të rrënjëve të një historie të vjetër për gjyshin e saj gjatë Luftës së vitit 1941.
Ajo bie në dashuri me një djalë shqiptar, duke filluar kështu një marrëdhënie “të pamundur” midis dy kombeve të ndara nga lufta. Autori është frymëzuar nga të rinjtë serbë qe studiojnë gjuhën shqipe. Filmi do të vazhdojë të shfaqet në kinemanë e qytetit edhe gjatë ditëve në vazhdim.
