Festivali Letrar i Shkodrës po mban edicionin e tij të XV prej 3 javësh dhe ditën e sotme në mjediset e brendshme të bibliotekës “Marin Barleti” ishte i ftuar dramaturgu i njohur nga Kosova Jeton Neziraj.

Aktiviteti i tij si dramaturg por edhe roli dhe ndikimi që ka sot teatri në shoqërinë shqiptare ishin fokusi i takimit letrar, teksa ai u ndal tek varfëria artistike që në përgjithësi teatri po përjeton këto kohë.

Shkodra është qyteti që në histori ka prodhuar dramaturgë të shquar dhe Neziri shprehet se është e nevojshme të ruhet kjo traditë por po aq e domosdoshme është edhe nevoja për një brez të ri dramaturgësh shqiptarë.

Vlerësim të madh për dramaturgun nga Kosova Jeton Neziraj dha edhe pedagogia e Letërsisë në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Ermira Alija.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka shërbyer si Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa aktualisht është drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë, një organizatë që merret me letërsinë dhe teatrin. Ai ka shkruar mbi 20 drama, të cilat janë vënë në skenë në Kosovë dhe jashtë saj, në Evropë e në Amerikë, e po ashtu janë përkthyer dhe botuar edhe në mbi 15 gjuhë të tjera.