Simon Gjonaj ka lindur në Malësinë e Madhe (Malësinë e Tuzit) ku dhe nisi të jetonte endrrat e tij artistike dhe me një hijeshi fisnike, tipike e djemve malësorë, ai nisi të shpalosë çdo ditë e më tepër talentet e tija… të cilat ishin aktrimi, modelingu, poezia, dhe kënga.

Ai shumë shpejt u bë pjesë e marketingut promocional duke reklamuar produkte dhe duke u kthyer në figurën kryesore. Po ashtu u aktivizua dhe në aktrim ku spikati nëpër role të ndryshme.

E si mund të ndodhte ndryshe sepse të lindesh e të rritesh nën hijen e Alpeve Shqiptare, nuk kishte se si mos të merrte nga zëri i bilbilave nëpër bjeshkë, nga gurgullima e ujërave të krojeve të vendlindjes të tij të dashur, Malësisë.

Dukej qartë se ai kishte dëshirë dhe talent, mbasi ai shkruante vargje të bukura, dhe ato vargje ai i këndonte, kështu që shumë shpejt ai e gjeti veten në rrjedhën e muzikës, të cilën e ndjek si një nga dëshirat e mëdha që ai kishte dhe vazhdon të ketë.

Simon Gjonaj tashmë jeton dhe vepron larg vendlindjes, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po punon në realizimin e ëndrrave të tij artistike gjithashtu duke i dhënë hapësirë dhe këngës.

“Nuse Shqiptare” titullohet kënga që Simon Gjonaj sapo e ka publikuar në Youtube dhe në rrjetet sociale. Këngë e cila u mirëprit nga miqtë e këngëtarit, por edhe nga këngëtarët e Malësisë të cilët e përkrahën kolegun e tyre duke e shpërndarë në profilet e veta, gjë që është një suport i mirë për çdo artist.

Gjatë bisedës virtuale me të, Simoni thotë se ka disa këngë por që nuk i ka publikuar akoma, por së shpejti do vijë me projekte të reja, balada, popullore e alternuar apo turbo folk, por na mbetet që të presim deri në realizimin e tyre.