Gjuhadoli ose Gʼjuhadoli, është një rrugicë e veçantë për shkodranët. E shtruar me kalldrëm dhe me ndërtesa një ose dykatëshe, me ballkonet karakteristike, me lulet e lokaleve dhe arredimin e bukur të vitrinave të bizneseve, ajo tërheq shumë shpejt vëmendjen e turistëve.

Nis nga Truma e Dugajve të Reja deri tek Kisha e Madhe. Një rrugë e mbarsur me dashuri, histori, art dhe kulturë.

Në këtë rrugicë kryesisht jetojnë familje të vjetra, që janë komshinj prej më se 100 vitesh. Në skutat karakteristike të kësaj rrugice familjare, përzihen natyrshëm hapat e lehtë të turistëve, që bëjnë fotografi apo ulen për të konsumuar diçka, me tingujt e muzikës jazz e blues që është aq familjare për banorët, sa edhe muzika e vërtetë qytetare me jaret e saj…

Pjesa më e madhe e bizneseve, janë aktivitete të vogla familjare, që mbështeten tek shërbimet dhe bar hoteleria. Këtu gjen dyqane arti, suvenire, luleshitës, rrobaqepës, pastiçeri, biçikleta me qera, guida turistike, bar kafe dhe hotele të vogla, po mjaft të frekuentuara. Nëse doni ta prekni zemrën e qytetit, udhëtimin duhet ta nisni nga aty.

“Gjuhadoli” është ndër më të vjetrat e qytetit të Shkodrës.

Në vitin 1923, Gjuhadoli përmendet nga autoritetet si një ndër 30 lagjet që kishte qyteti i Shkodrës. Dikur në këtë lagje kishin rezidencën konsullatat e huaja që qëndronin në Shkodër, ndërsa vlen të thuhet se prej shekullit të XVIII atje ka qenë shtëpia e familjes Gurakuqi nga ku rrjedh patrioti i njohur Luigj Gurakuqi.

Duke shëtitur nëpër lagje do të shihni Kishën e Gjuhadolit, ku u formua edhe Kuvendi Françeskan, në të cilin bënte pjesë edhe At Gjergj Fishta, që është rivarrosur atje në vitin 1996. Kjo lagje është kaq sublime sa historinë mund ta prekësh me dorë. Këtu janë përshkruar në të përditshmen e tyre At Shtjefën Gjeçovi, Koliqi, Migjeni, Shiroka, Zamputi, Kamsi, e shumë të tjerë. Ky fakt i jep lagjes një tis enigme e madhështie njëkohësisht. Në këtë lagje ka kujtesë.

Gjuhadoli është i bukur dhe intrigues në çdo stinë të vitit, por sidomos mbrëmjet e verës këtu janë magjike. Nëpër rrugica të tilla janë krijuar vepra të mëdha, vlerë e kulturës sonë.