Fundjava solli në Shkodër grupin e Alpinëve italianë, të cilët dikur në kohërat e luftës kishin mision ruajtjen e kufirit alpin të Italisë me shtetet e tjera ndërsa sot në kohë paqe qëndrimin pranë njerëzve në nevojë.

Ky grup i ardhur nga Verona në bashkëpunim me “Projektin Shpresa” dhe bandën muzikore të fëmijëve me aftësi të veçanta “The Door” bënë të gjithë sallën të këndonte njëzëri.

Fundjava solli edhe premierën e shumëpritur të aktorëve të teatrit “Migjeni” me regji të Enke Fezollarit “Zhurma përtej skenës”. E veçanta është se premiera u bë në qytetin e Mitrovicës në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë “Mittrix”. Stacionin e saj të radhës, shfaqja do ta ketë në Shkodër para spektatorit shkodran.

Java kulturore u mbyll me një lajm të trishtë për komunitetin e artistëve teksa aktori i shquar shkodran Enver Hyseni ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare ndërsa teatri “Migjeni” hapi dyert për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Aktori shkodran Enver Hyseni i përket një brezi të artë të teatrit duke marrë pjesë në interpretime të shumta në disa prej shfaqjeve që kanë shënjuar artin shqiptar.