Në Shkodër po mbahet edicioni i XV i Festivalit Letrar teksa i ftuar në bibliotekën “Marin Barleti” ditën e sotme ishte shkrimtari Alfred Çapaliku. Ai foli për mesazhet e rëndësishme që trajton libri poetik “Atje larg, këtu afër”, i promovuar ditën e sotme, të lidhura me aktualitetin e shoqërisë.

Maxhid Cungu, drejtuesi i bibliotekës foli për vlerat që përfaqëson në vetvete shkrimtari i ditës së sotme.

Pjesë e festivalit u bënë edhe dy nga aktorët e teatrit “Migjeni” Agron Dizdari dhe Drande Xhaj të cilët interpretuan dy prej poezive të shkrimtarit Alfred Çapaliku.

Aktiviteti u konceptua në formën e një interviste ku Çapaliku rrëfeu më shumë në lidhje me poezitë dhe mënyrën e krijimit të tyre, letërsinë bashkohore por edhe sfidat me të cilat përballet lexuesi sot.

Ky ishte organizimi i dytë që zhvillohet në bibliotekën “Marin Barleti” për Festivalin Letrar të Shkodrës ndërsa të tjera janë planifikuar në ditët në vazhdim.