E veçantë ishte pasditja e djeshme në qendrën rinore “Arka” teksa i ftuar ishte kantautori shqiptar me famë ndërkombëtare Ermal Meta, teksa erdhi në Shkodër jo si këngëtar por si autor i librit “Nesër e përgjithmonë”, një trill artistik që i zhvillon ngjarjet e veta në fshatin Rragam të Shkodrës. Artisti i njohur thotë se me Shkodrën si qytet e lidhin shumë kujtime të fëmijërisë.
Ermal Meta kishte kohë që e kishte menduar të vinte edhe me profilin e ri prej shkrimtari edhe pse nuk e pranon të quhet i tillë, por kjo i buron si një nevojë për të shprehur ndjesitë e brendshme të tij duke i ndërthurur me fantazinë.
Të pranishmit patën mundësi të kuptonin më shumë nga libri edhe përmes bisedës në formën e një interviste të autorit me gazetarin dhe moderatorin Enkel Demi.
Gjatë bisedës nuk munguan as surprizat teksa njëra prej vajzave ndërpreu bisedën duke i thënë se kishte kohë që e priste një takim të tillë dhe duke i shprehur ndjenjën e dashurisë por në fund rezultoi të ishte një shaka nga një prej emisioneve investigative të kryeqytetit.
Dëshirën e publikut për ta parë Ermal Metën edhe si këngëtar, ky i fundit ia plotësoi me dy këngë të tij.
Në fund të takimit Ermal Meta shkëmbeu shtrëngime duarsh, foto dhe autografe me të pranishmit nga publiku.
