Tetori njihet ndryshe edhe si muaji i letërsisë dhe në kuadër të tij, në sallën e konferencave të kolegjit “Hasan Riza Pasha” u organizua një aktivitet letrar, ku i ftuar i veçantë ishte shkrimtari i njohur i librave për fëmijë dhe të rinj Viktor Canosinaj.

Megjithëse me origjinë nga Vlora, Canosinaj foli për lidhjen e veçantë që ai ka me Shkodrën duke qenë herë pas here i pranishëm në aktivitetet dedikuar librit, i cili vitet e fundit ka njohur një ftohje në marrëdhënien me lexuesit por siç thotë edhe vetë shkrimtari, Shkodra është nga ato qytet që ka akoma një raport të mirë me librin.

Një pjesë të ndikimit të ftohjes me librin përveç paisjeve teknologjike, Viktor Canosinaj shprehet se cilësia që i ofrohet lexuesve lë për të dëshiruar.

Mësuesja e letërsisë, Miranda Mazi thotë se aktivitete të tilla janë të rëndësishme për t’i afruar fëmijët dhe të rinjtë me librin.

Tetori ka sjellë disa aktivitete në Shkodër dedikuar librit dhe një pjesë e tyre vazhdojnë ende deri në fundin e tij.