Gani Jakupi nga Prishtina është një emër i madh në arenën ndërkombëtare në gjininë e romanit grafik në mënyrë të veçantë në Spanjë e në Francë. Gjatë viteve të luftës në Kosovë, ai ndihmoi në ndërkombëtarizimin e çështjes në Spanjën ku ai jetonte përmes mediatizimit në televizionet e këtij vendi.

Me përfundimin e luftës, në qershor të vitit 1999 ai bëri udhëtimin e parë si gazetar për në Kosovën e pasluftës dhe të gjitha detajet i botoi në romanin grafik “Kthimi në Kosovë”.

Ky roman është i përbërë nga ilustrime grafike të cilat vetë autori nuk mund t’i realizonte dot për shkak të makthit që i përcillnin ato pamje të pasluftës por vendosi t’ja besonte artistit nga Argjentina, Horhe Gonzalez. Ky roman është i përkthyer në disa gjuhë ndërkombëtare ndërsa së fundmi edhe në shqip.

Për Gani Jakupin angazhimi letrar nuk është i vetmi pasi për shkak të pasionit për muzikën, ai ka krijuar edhe një grup muzikor që performon materialet e kompozuara nga vetë artisti.

Në Shkodër, ai erdhi si i ftuar në edicionin e XV të Festivalit Letrar dhe në këtë qytet thotë ai, e ndjen veten si në Kosovë.

Romanet dhe veprat e Gani Jakupit janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme dhe ai është vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare.

Përgatiti: Marjo Gjini