Java e Kulturës Austriake shënoi fundin e saj në qytetin e Shkodrës me disa aktivitete ku në mënyrë të veçantë spikati “Shkodra Day”, dita dedikuar lidhjeve historike të Shkodrës me Austrinë.

E tillë ishte edhe ekspozita e çelur në Pinakotekën “Lin Delija” të Muzeut Dioqezan të katedrales “Shën Shtjefni” të qytetit nën kujdesin e veçantë të drejtuesit të Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, Pjerin Mirdita.
Ekspozita pasqyron dokumente të rëndësishme dhe fotografi personalitetesh nga Austria në Shkodër nga viti 1850 deri në 1917. Për të vizituar nga afër ekspozitën ishin edhe drejtuesit vendorë të Shkodrës si dhe ambasadori i Austrisë në vendin tonë Christian Steiner.
Aktivitetet austriake në Shkodër u mbyllën në qendrën rinore “Arka”, aty ku edhe nisën, me kuartetin saksofonist “Aureum” të cilët performuan pjesë nga albumi i tyre muzikor “Golden Roots” duke i dhënë atmosferë ambientit përreth.
Përgatiti: Marjo Gjini
