Në ditën e dytë të aktiviteteve të Javës Kulturore të Austrisë në Shkodër, u shfaq në qendrën rinore “Arka” filmi “Nga Austria në Australi” ku dy miq nga Austria e veriut vendosin të përshkojnë me biçikletat e tyre një rrugëtim prej 18 mijë km, një rrugëtim plot vështirësi, zbulime dhe sfida nëpër 19 shtete të ndryshme.
Pjesë e kësaj kinemaje të improvizuar ishte edhe Julia Prummer Attachèe, sekretare për kulturën në Ambasadën e Austrisë dhe ajo thotë se jo pa qëllim është zgjedhur ky film për t’u parë sepse Shkodra njihet edhe si qyteti i biçikletave.
Përveç kryeqytetit duhet thënë se në Shkodër janë përqëndruar disa aktivitete për Javën Kulturore të Austrisë dhe kjo lidhet me pjesën e historisë që ka ky vend me qytetin verior.
Java Kulturore e Austrisë ka nisur më 17 tetor dhe aktivitetet e shtrira në të gjithë vendin do të zgjasin deri më 23 tetor.
Përgatiti: Marjo Gjini
