Shqipëria po mirëpret Austrinë këto ditë përmes Javës Kulturore Austriake ndërsa në Shkodër parashikohen disa aktivitete ku mbrëmë në qendrën rinore “Arka” u çel sipari i tyre.
Një mbrëmje muzikore nën ritmet e trios austriake “Viech” e cila krijoi atmosferë tek të pranishmit përmes repertorit me këngët e përzgjedhura që i kënduan live.
Mikpritësi i këtij organizimi të parë të Javës Kulturore Austriake në Shkodër, Marjan Lukani, koordinatori i qendrës rinore “Arka” thotë se të tjera evente do të ketë kjo javë.
Vokalisti i grupit austriak, Paul Plut vjen për herë të parë në vendin tonë dhe shpreh vlerësimin që Shqipëria i dedikon disa ditë kulturës austriake.
Nga ana e saj, drejtuesja e DRTK Shkodër, Besara Podgorica thotë se lidhjet historike në mes Shkodrës dhe Austrisë shtrihen në disa rrafshe.
Ditët në vijim parashikojnë të tjera aktivitete që do të mbahen në vend për Javën Kulturore të Austrisë ku spikat ai i ditës së nesërme “Shkodra Day”, i cili do t’i dedikohet specifikisht vetëm Shkodrës.
Përgatiti: Marjo Gjini
