Fundjava solli në Itali, në zonën e Mestres në Venezia, një simpozium të veçantë në lidhje me marrëdhëniet historike të Shqipërisë me këtë qytet dhe kur flasim për to, rrënjët duhet t’i kërkojmë në lidhjet shumëplanëshe por më së shumti në ato tregtare të Shkodrës me Republikën e Venedikut, shekuj më parë.

Në këtë takim të organizuar nga shkodranja Nina Mosi dhe që bëri bashkë shqiptarë e italianë, e ftuar nderi ishte Lucia Nadin, albanologia nga Venezia, studiuese e marrëdhënieve shqiptaro-venedikase teksa ajo prezantoi studimin e saj më të fundit në lidhje me këto marrëdhënie duke u përqëndruar kësaj here në Statutet Mesjetare të Shkodrës.

Rina Vjerdha, shkodranja që prej vitesh banon në Venezia ishte moderatorja e këtij simpoziumi të veçantë. Tre ditë pas simpoziumit, e ndodhur në Shkodër, ajo përshkruan emocionet e bukura që mori nga ky organizim, duke mos e fshehur krenarinë për rrënjët e saj.

Rina tregon se në Venezia nuk është e pakët prezenca shqiptare dhe këtë e tregon fakti që aty ekziston edhe një rrugë e emërtuar “Via Scutari” ndërsa shton se komuniteti shqiptar dhe në mënyrë të veçantë ai shkodran është i konsoliduar në këtë zonë të Italisë duke i patur rrënjët, shekuj më herët në histori.

Përveç studiueses Lucia Nadin, simpoziumi “Venezia dhe Shqipëria: një histori e lidhjeve shekullore” pati si pjesë të tij edhe artistë shkodranë si Xhoan Shkreli dhe Franc Gjoni që dhuruan emocione me melodinë e tingujve të violinës dhe kitarës duke sjellë një “copëz” Shkodre në Venezia.

Përgatiti: Marjo Gjini