Fundjava solli kremtimin e Festës së Zojës së Shkodrës për besimtarët katolikë të qytetit. E gjitha nisi me një proçesion ku në krye qëndronte figura e Zojës së Shkodrës, e ku ju bashkuan qindra besimtarë. Në mesin e tyre ishte edhe Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Angelo Masafra.

Proçesioni nisi nga katedralja “Shën Shtjefni” për të vijuar rrugëtimin e vet në rrugën e Gjuhadolit e më pas në kishën e Shën Kollit si dhe për ta përfunduar sërish në katedralen e qytetit.

Në fjalët e tij, Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Angelo Massafra vë theksin tek rëndësia e kthimit tek virtytet duke qëndruar larg veseve si shoqëri.

Festa e Zojës së Shkodrës vijoi edhe përgjatë së dielës teksa nisi me celebrimin e meshës së shenjtë ku merrte pjesë edhe Nunci Apostolik Mons. Luigi Bonazzi. Në fund të meshës, në mënyrë të organizuar u hodhën fishekzjarret nga kompanjeli i katedrales së Shën Shtjefnit, teksa ky moment dhuroi “spektakël dritash” mbi qiellin e natës dhe u ndoq nga besimtarët që kishin mbushur sheshin. Mbrëmja festive vijoi me koncertin me këngë nën drejtimin artistik të mjeshtrit Ilir Zoga ku merrnin pjesë artistët shkodranë Orjeta Kelaj e Ylber Tahiri.

Nuk mungoi as interpretimi poetik me vargjet e At Gjergj Fishtës, i aktorit të teatrit “Migjeni” Jozef Shiroka. Koncerti u mbyll me këngën e Zojës së Shkodrës, e cila u këndua njëzëri nga i gjithë publiku në sheshin para katedrales.

Përgatiti: Marjo Gjini