Edhe pse e kanë etiketuar si “fotografin alpin”, Hans Peter Jost nga Zvicra solli në ekspozitën e çelur në Galerinë e Arteve në Shkodër, fotografi të vendit tonë duke filluar nga viti 1990 deri në 2021, praktikisht duke dokumentuar kështu përmes artit të fotografisë, gjithë periudhën e tranzicionit në vendin tonë.

“Albania in Between” reflekton rrugëtimin tonë në gjithë këto vite, e parë në syrin e artistit Hans Peter Jost, kështu do ta përshkruante titullin e kësaj ekspozite drejtuesi i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka në fjalën e tij ndërsa ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë e përshkruan punën e artistit si një kontributor në promovimin e transformimit të vendit që nisë nga radhët e gjata në dyqanin e bukës e përfundon tek kullat e larta moderne.

Hans Peter Jost, autori i kësaj ekspozite falenderoi të gjithë ata që kishin ardhur për t’i parë nga afër fotografitë e realizuara nga ai.

Nuk ishin vetëm punimet pjesë e kësaj ekspozite por edhe një libër foto-album, ku Fatos Lubonja është ai që ka shkruar parathënien e librit ndërsa në prononcimin për mediat i përshkruan këto vite si një tranzicion që nuk ka fund.

Ekspozita tërhoqi interesin e gjerë të publikut që pati dëshirën të shikonte nga afër fotografitë e artistit Hans Peter Jost në mjediset e Galerisë ndërsa ekspozitën e vizituan edhe personalitete të ndryshme të qytetit.

Përgatiti: Marjo Gjini