Kinema “Millennium” këtu në qytetin e Shkodrës rihapi dyert e saj për të mirëpritur spektatorët për premierën e filmit “Legjenda e Bastunit” me regji nga Xhoslin Rama.
Në premierën e filmit të pranishëm ishin edhe kasti i aktorëve ndërsa nuk mungonin as personalitetet e qytetit.
Në film rrëfehet historia e Çeskut, një klerik françeskan shqiptar, që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës nën persekutimin komunist. Edhe pse i plakur e i rraskapitur, kur del nga burgu, nuk e ka harruar porosinë që i ka lënë mësuesi i tij. Bastunin e At Palit duhet ta hedhë në lumë. Ajo çka ndodh më tej e bën Çeskun të kuptojë se amanetet nuk janë thjesht amanete. Regjisori i shumë filmave të tjerë mjaft të arrirë, Xhoslin Rama ka arritur të mbledhë një kast mjaft të zgjedhur aktorësh mes të cilëve: Ndriçim Xhepa, Vasjan Lami, Amos Zaharia, Amri Hasanlliu, Klodiana Keco, Ervin Bejleri etj.
Disa nga aktorët tregojnë më shumë rreth roleve të tyre dhe vlerësimet për filmin.
Ky film do të shfaqet për publikun edhe në ditët në vazhdim në orare të përcaktura në kinema “Millennium”.
Përgatiti: Marjo Gjini
