Shqipëria ka hyrë në ditët e javës kulturore japoneze ku një sërë aktivitetesh po mbahen në kryeqytet si dhe disa qytete të tjera të vendit.
Në Shkodër, Java e Kulturës Japoneze u fokusua në gatimin tradicional japonez të ngjalave në Bar Restorantet “Arbri”, buzë liqenit të Shkodrës. Ky gatim i quajtur “Unagi Kabayaki” solli disa nga shefat japonezë për të demonstruar në përgatitjet e kësaj pjate ndërsa i pranishëm në këtë darkë festive ishte edhe Ambasadori i Japonisë në vendin tonë, Takada Mitsuyuki.
“Kam ardhur në Shqipëri në nëntor të 2020 dhe vizita ime e parë këtu në Shkodër ishte në muajin gusht dhe t’ju them të drejtën më shijoi gatimi këtu e në mënyrë të veçanta ai i ngjalave dhe vura re që kishte pak dallim nga mënyra sesi gatuhen ato në Japoni. Japonezët i duan shumë ngjalat dhe atje ne i rrisim ato ndërsa këtu janë natyrale dhe mund të them se kanë një shije më të mirë se në Japoni. Sot ne kemi dëshirë të tregojmë mënyrën tonë të gatimit, një pjatë tradicionale japoneze që e quajmë “Unagi Kabayaki” ku unagi janë ngjalat ndërsa kabayaki është metoda jonë e gatimit që bazohet në salcën e ëmbël të sojës dhe gjeta bashkëpunimin e Misawgata, një prej shefave më të mirë të restoranteve në Japoni.” – shton ambasadori japonez.
Më tej Ambasadori japonez në vendin tonë thekson se ky është një vit i rëndësishëm sepse shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve në mes Shqipërisë e Japonisë.
“Ky është një vit tepër i rëndësishëm pasi është përvjetori i marrëdhënieve mes Shqipërisë e Japonisë dhe vendosëm të organizonim një festival ushqimi bazuar në ngjala këtu në Shkodër dhe kjo është hera e parë që kemi mundësi të gatuajmë “Unagi Kabayaki” për shqiptarët. Mendoj se shqiptarët e duan ushqimin japonez dhe këtë e vërej tek restorantet që gjenden në Shqipëri dhe gatimi është pjesë e kulturës japoneze ndaj unë po e mbështes fuqimisht këtë organizim kaq të veçantë këtu.” – thekson ambasadori japonez.
Të ftuarit e shumtë patën mundësi përveçse të shijonin disa nga specialitet japoneze të kuzhinës edhe të njiheshin me proçesin e përgatitjes së ngjalave në zgarë deri në orët e vona të darkës ku nuk mungonin as personalitete në fusha të ndryshme të qytetit ku në mesin e tyre ishte edhe presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi. Ky ishte aktiviteti i vetëm i parashikuar për Javën e Kulturës Japoneze në Shkodër, ndërsa ajo do të vijojë në kryeqytet me të tjera organizime.
Përgatiti: Marjo Gjini
