Një ndër mediat më prestigjoze të botës, britanikja “The Guardian” ka bërë një artikull për muzeumet më të pëlqyera në Europë.

Në shkrimin e saj, cilësohet se përzgjedhja e tyre është bërë duke u bazuar tek pëlqimet dhe mendimet e vizitorëve. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në rrjetet e tij sociale artikullin në anglisht të “The Guardian”.

Ajo që spikat në artikullin e prestigjozes britanike është edhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër.
Në shkrimin për muzeun thuhet se koleksioni i fotografive është gjithëpërfshirës dhe se ai tregon detaje nga të gjitha sferat e jetës, ndërkohë që ndërlidhet me shumëllojshmërinë e portreteve dhe veshjeve tradicionale.

“Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në qytetin verior të Shkodrës është një mrekulli” – shkruan kështu “The Guardian” e cila më tej vijon me pjesën historike të lidhur me fotografin italian Pietro Marubi i cili hapi studion e tij të parë të fotografisë në Shqipëri e pikërisht në Shkodër në mesin e shek. XIX, kur vendi ishte akoma nën sundimin osman.

Gjate tre brezave ai, çiraku i tij Kel dhe djali i Kelit, Gegë dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavaresinë e Shqipërisë, përmes luftës ballkanike dhe asaj të dytë botërore, deri në periudhën e diktaturës.

Koleksioni i fotografive të ekspozuara tregojnë bukur të gjitha sferat e jetës si: revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare etj.” përfundon kështu artikulli në britaniken “The Guardian”.

Po ashtu pjesë e shkrimit së bashku me Shqipërinë, janë përzgjedhur muzeume edhe nga vende të tjera si Franca, Gjermania, Spanja, Mali i Zi, Hollanda si dhe Zvicra.

Përgatiti: Marjo Gjini