Tetori është shpallur “muaji i letërsisë” dhe vëmendja ndaj librit është më e madhe duke sjellë tituj të rinj në libraritë e qytetit.
Autori shkodran Arben Prendi vjen para lexuesit me përmbledhjen me tregime “I ra mjegulla Buenës”, një titull ky i lidhur me vargun e parë të këngës për legjendën e kalasë së Rozafatit.
Përmbledhja përbëhet nga 28 tregime që në mënyrë artistike komunikojnë me tema mitike, historike dhe të jetës së përditshme të shoqërisë shqiptare.

Mjegulla në këtë libër duket se përfaqëson një gjendje amullie që ka kapluar drejtpërdrejtë marrëdhëniet njerëzore, çka nuk i lejon ata të shohin përtej anës fizike.
Libri “I ra mjegulla Buenës” është i dyti pas vëllimit me “Vepra Poetike” në vitin 2018 për autorin Arben Prendi, i cili përveç aktivitetit letrar si poet, publicist dhe kritik letrar, njihet edhe për kontributin e tij akademik në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si pedagog në Departamentin e Letërsisë.
Përgatiti: Marjo Gjini
