Kjo fundjavë ishte e larmishme sa i përket organizimeve kulturore në qytetin e Shkodrës.

Ato nisën me edicionin e XV të “Lojërave Popullore” ku për herë të parë ato u zhvilluan në sheshin para Bashkisë, në “zemër” të qytetit. Grupet e të rinjve përveç lojërave tradicionale, performuan edhe këngë e valle para publikut.

Në këtë vit kishte pjesëmarrje jo vetëm nga Shkodra por edhe nga Elbasani e Vlora si dhe Kosova e Maqedonia e Veriut. Mesazhi i zgjuarsisë por edhe i ruajtjes së traditës popullore është ai që evidenton më së shumti ky organizim.

Pak metra më tutje një ekspozitë nga artistja shqiptare Akime Nasufi nga Maqedonia e Veriut në galerinë “Oda” ishte një tjetër alternativë për ata që e duan artin e pikturës. Artistja shprehet se bashkëpunimi është mesazhi kryesor që kërkon të japë me artin e saj ndërsa në 28 punimet e saj bie në sy ngjyra e kuqe që na sjell atmosferën e festave më afër.

Fundjava kulturore u mbyll në teatrin “Migjeni” me një performancë në piano të artistit italian Alfonso Santimone që solli notat e muzikës kontemporane si pjesë e festivalit “Piano Improvisation”.

Përgatiti: Marjo Gjini