Përfundoi një tjetër edicion i Ahengut Shkodran, i vlerësuar dhe i shpallur si një nga 7 kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore jomateriale të vendit tonë.

Në dukje Ahengu post modern, ai i konceptimit në formën e një koncerti prej 10 vitesh ka vazhduar të ruajë të njëjtën strukturë dhe linjë të organizimit të tij nga viti në vit prej 10 të tillash e megjithatë edhe ky edicion pati të veçantat e tij.

I menduar për t’u zhvilluar fillimisht në sheshin para bashkisë, ai u zhvendos në teatrin “Migjeni”, i kushtëzuar nga kushtet atmosferike. Ahengu në shumicën e edicioneve të tij është zhvilluar në oborrin e shtëpisë muze “Oso Kuka” por për shkak të interesit të shtuar të spektatorëve dhe kapacitetit të vogël të mjedisit, zhvillimi i tij në teatër solli prani të madhe spektatorësh në të, i mbushur në të gjithë kapacitetin e tij.

Në këtë edicion të dhjetë kishte artistë që e shkelnin për herë të parë këtë organizim si Ea Zoga fituesja e Gjeniut dhe njëkohësisht më e reja e 10 edicioneve të Ahengut ndërsa ky koncert pati si aset të tij edhe artistin më të vjetër në moshë, pjesëmarrës në Aheng, anëtarin e grupit “Karajfilat që ka Shkodra” Ruzhdi Çekaj.

Këtij viti nuk i munguan as dy artistët me më shumë pjesëmarrje në 10 vitet e Ahengut Leonard Guga dhe Adelina Correj ndërsa prezantuesja Gentiana Dani duket se tashmë është kthyer në një binom të pandashëm me këtë koncert pasi ka 10 vite që e moderon atë.

Ahengu Shkodran u pasurua këtë vit edhe me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve të Gjakovës ku duhet thënë se dy qytetet kanë marrë e dhënë nga njëri-tjetri aq sa këngë si ajo me titullin “Si dukat i vogël je” apo disa të tjera duket sikur janë shkodrane autoktone por në fakt ato vijnë nga Gjakova, njëjtë si dhe artisti Artan Bakija që përveç Luleborës, i është bashkuar edhe Ahengut.

Nuk mund t’i mungonin këtij Ahengu as dy nga emrat e shquar të muzikës shkodrane si Mukades Çanga dhe Nderi i Kombit Bujar Qamili që në lartësinë e titullit që mban këndoi në teatrin “Migjeni” këngë për të madhin Bik Ndoja.

Ahengu Shkodran ende nuk mund të konsiderohet i zbuluar plotësisht por sa më shumë që “gërmohet” aq më të shumta janë “sekretet” që fsheh ai dhe këtë e pranon edhe drejtuesi artistik Bardhyl Hysa.

Moment i veçantë i këtij edicioni ishte edhe ai i nderimit të emrave të rëndësishëm të muzikës apo artit në përgjithësi që kanë ndërruar jetë vitet e fundit kryesisht për shkak të Covid-19 por jo vetëm dhe që publiku i shoqëroi më duartrokitje gjatë citimit të emrave të tyre.

Ahengu Shkodran do të vijë i plotë për shikuesit përmes RTSH Shkodra në ditët në vijim si një ekskluzivitet i saj.

Përgatiti: Marjo Gjini