Mes këngësh e valleve tradicionale nisi edicioni jubile i “Ahengut Shkodran” që shënën vitin e dhjetë të organizimit të tij në formën e një gëzimi tradicional, njëjtë siç ndodhte ndër vite në Shkodrën e dikurshme.

Spektatorët e shumtë që kishin mbushur sallën e teatrit “Migjeni” shijuan çdo detaj të Ahengut, i cili këtë edicion e nisi me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve të Gjakovës, menjëherë pas fjalimit përshëndetës që mbajtën Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia dhe ai i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Artistët më të mirë të qytetit duke nisur nga ata me përvojë e deri tek më e vogla e këtij Ahengu, Ea Zoga fituese e Gjeniut të Vogël, ansambli i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” gërshetuar edhe me valltarët ku ndërthureshin bukur të gjithë brezat i dhanë ngjyra Ahengut Shkodran.

Disa nga pjesëmarrësit, në paraqitjen e tyre për mediat falenderojnë publikun për ngrohtësinë që i dhanë me duartrokitjet e tyre kësaj feste të qytetit.

Ahengu Shkodran u mbyll me këngë për një nga legjendat e tij, Bik Ndojën nga Nderi i Kombit, Bujar Qamili. Ky koncert do të vijë i plotë në ditët në vazhdim për shikuesit e rrjetit të Radio Televizionit Publik Shqiptar përmes televizionit më të ri RTSH Shkodra.

Përgatiti: Marjo Gjini