Në kuadër të aktiviteteve për Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, DRTK Shkodër promovoi disa nga shtëpitë e vjetra, karakteristike të qytetit, të shpallura monumente kulture për shkak të vlerave arkitekturore dhe rëndësisë që ato bartin përmes fotografive të projektuara në një nga fasadat e rrugës muzeale të Gjuhadolit, të zbuluara për herë të parë për publikun përmes video mapping.
Më tej Besara Podgorica, drejtuesja e DRTK Shkodër tha se këto banesa të vjetra, të konsideruara pasuri kulturore do të vazhdojnë të pajisen me tabelën përkatëse që i identifikon ato si historike për qytetin ndërsa së shpejti ato do të hapin dyert edhe për vizitorët si pjesë e guidave turistike edhe përmes rijetëzimit të tyre.
Më herët po në vazhdim të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore, skena e teatrit “Migjeni” u kthye në një “kinema të hapur” teksa aty u shfaq filmi “Citizen Jane: Battle for the City” ku e ftuar për një diskutim të hapur në lidhje me qytetin ishte arkitektja, Doriana Musaj.
Përgatiti: Marjo Gjini
