Ka përfunduar me sukses projekti për regjistrimin dhe dixhitalizimin e këngëve shkodrane me mbështetjen e BBC Music, i nisur rreth një vit më parë në studiot e Radio Shkodrës.

Albumi muzikor “Si Bylbylat në Pranverë’ nga Orkestra Shkodra, feston traditën e pasur të qytetit të Shkodrës, bashkë me shpirtin artistik të këtij qyteti “ku të gjithë këndojnë”. Ky album është një koleksion i vogël nga një repertor i pamatë i këngëve popullore qytetare dhe ato të ceremonialit të dasmës, të cilat janë tipike dhe shumë të njohura në Shkodër dhe në Shqipëri por pak të njohura dhe të inçizuara përtej saj.

Ky projekt përveç ruajtjes ka për qëllim promovimin dhe përhapjen e këtij thesari tingujsh në botë.
“Si Bylbylat në Pranverë” u prodhua nga Qendra Iso dhe Oda 3 me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, nëpërmjet thirrjeve për projekt propozime. Producentja muzikore Edit Pula ndihet e lumtur per finalizimin e këtij projekti dhe falenderon të gjithë ata që u bënë pjesë e tij.

Për realizimin e këtij projekti me vlera të rëndësishme për trashëgiminë shpirtërore jomateriale ndihmuan artistët e përfshirë “veteranë” dhe talentet e reja të Shkodrës ku kontribut për këtë sipërmarrje dha edhe ekipi i Radio Shkodrës dhe artistët e Qendrës Kulturore ‘Pjetër Gaci’. Një mbështetje të madhe dha edhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, njëkohësisht edhe deputete e qarkut Shkodër, e cila e përqafoi idenë që ditën e parë dhe siguroi mbështetjen lokale në ndihmë të realizimit.

Përgatiti: Marjo Gjini