Këtë vit, “Ahengu Shkodran” i kthyer në formën e një spektakli ku këndohen këngët e vjetra shkodrane shënon vitin e dhjetë të organizimit të tij dhe në qendrën kulturore “Pjetër Gaci” po organizohen përgatitjet e fundit me artistët pjesëmarrës.
Dritan Mlika, drejtuesi i qendrës kulturore “Pjetër Gaci” thotë se larmia e moshave përmes gërshetimit të tyre duke nisur nga më të rinjtë tek ata më të vjetrit duke përmbushur edhe qëllimin e Ahengut që ai të përcillet brez pas brezi do të vazhdojë të jetë karakteristikë edhe për këtë edicion ndërsa do të vazhdojnë të sjellin në repertorin e Ahengut, materiale të mbuluara nga “pluhuri” i harresës.
Me një ansambël të kompletuar artistësh që shkon deri në 50 vetë së bashku me grupin e fëmijëve dhe atij të valleve, ky Aheng do të ketë pjesë të tij, artisten me moshën më të vogël në këto 10 edicione, Ea Zoga ose përndryshe fituesja e Gjeniut të Vogël 8.
Risi e këtij viti do të jetë përfshirja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve nga qyteti i Gjakovës ku siç thotë edhe drejtuesi artistik Bardhyl Hysa, dy qytetet i lidhin shumë të përbashkëta mes njëra-tjetrës.
Ky vit është një përvjetor jubile për Ahengun Shkodran dhe ai do të zhvillohet sonte në teatrin “Migjeni” duke nisur nga ora 19⁰⁰ dhe ai do të jetë një ekskluzivitet i RTSH Shkodra.
Përgatiti: Marjo Gjini
