Muharrem Shkreli është njëri nga shkodranët e rritur me këngët e Ahengut që i vogël dhe kjo dashuri e tij për këtë muzikë i buron nga babai, Cuf Shkreli, i njohur si kryeashik i Ahengut, kudo ku zhvillohej ai nëpër qytet.

Ky i fundit duke qenë edhe nip i patriotit Dasho Shkreli, të cilit i është kushtuar edhe këngë nga populli, pati fatin të rritej në një mjedis ku këngët e Ahengut ishin gjithmonë të pranishme e duket se kjo dashuri është trashëguar natyrshëm edhe tek pasardhësit e kësaj familje.

Muharrem Shkreli njeh më shumë se 400 këngë madje ai nuk heziton as të kujtojë tekstet e këngëve në dy variante: ato të parat kur u krijuan ashtu origjinale dhe variantet e pastruara nga turqizmat pas reformimit të Ahengut.

Për shkak të rrethanave shoqërore, në të cilat lindën këto këngë, disa prej tyre edhe pse në dukje u këndoheshin meshkujve, në fakt ato janë të nënkuptuara për femrat, shprehet Muharremi teksa shpjegon histori këngësh të Ahengut.

Mes një morie të pafundme këngësh, ai e ka të vështirë të zgjedhë të preferuarën e tij. Muharrem Shkreli thotë se ka ndërmend të sjellë të dokumentuara ato çfarë ai di për Ahengun dhe për këtë ai ka nisur nga puna për t’i sjellë në një libër por ka edhe një mesazh për të gjithë, që ta ruajnë si një vlerë të çmuar këtë pasuri të trashëgimisë jomateriale e me shumë vlera siç janë këngët e Ahengut Shkodran.

Përgatiti: Marjo Gjini