Kohët e fundit jeta kulturore dhe artistike në Malësi të Madhe sa vjen e gjallërohet. Aktivitetet pasojnë njëra-tjetrën dhe kjo falë iniciativave vullnetmirë nga vetë malsorët të mbështetur edhe nga institucionet dhe pushteti vendor. I tillë ishte edhe aktiviteti i organizuar këtë të mërkurë në Malësi e Madhe “Takim me Lahutarët Shqipfolës” ku të ftuar dhe të pranishëm ishin lahutarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Nga Rugova, nga Plava, nga Dukagjini, nga trevat e Malësisë nën Malin e Zi, Malësisë së Madhe dhe Lezha.
Ky projekt i financuar nga Bashkia Malësi e Madhe dhe organizuar nga Shoqeria Kulturore “Malësi e Madhe” arriti të bëjë bashkë 10 lahutarë e lahutare pasi e pranishme ishte edhe lahutarja malsore Lumturie Nonaj, të cilët kënduan si motit me za e me zemër mbi lavden e tyre.

Si qershia mbi tortë erdhi edhe përshëndetja e ëmbël me një orkestrale nga lahutari i vogël Emanuel Suka çka i dha shpresë edhe trashëgimit të lahutës tek brezat e rinj. Ky aktivitet i gërshetuar edhe me valle të pasura me folklor falë bashkëpunimit edhe me institucionet shkollore dhe shoqatat kulturore si shoqata kulturore “Jehona e Kelmendit” dhe shoqata kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” bëri që të bëhen bashkë mbi 20 xhubleta origjinale çka ngjizi shpresen për rijetësimin e trashëgimisë kulturore dhe vlerave shpirtnore të Lahutës dhe xhubletës si dy pasuri të trashëguara që në lashtësi në Malësi.

I ftuar në këtë aktivitet ishte edhe grupi i valltarëve të Aldo Nikës me tupan çka e bëri atmosferën edhe më të kandshme. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe miq e të ftuar nga bota e artit dhe kulturës si Zef Çoba.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve vendore në emër të të cilëve përshëndeti z. Tonin Marinaj i cili me shumë mirënjohje falenderoi të pranishmit vlerësoi lahutarët, përgëzoi organizatorët dhe premtoi për të tjera bashkëpunime në të mirë të gjallërimit të jetës kulturore në Malësi të Madhe.

Përgatiti: Rita Shkurtaj