Një koncert me muzikë klasike nga tre artiste prej Malit të Zi dhe Republikës Çeke ishte ai që u zhvillua sot në sallën e koncerteve “Gjon Kapidani” në shkollën e mesme artistike “Prenkë Jakova”.

Pjesë nga kompozitorët më të njohur si Puccini apo Strauss ishin disa prej materialeve muzikore që interpretuan artistet e ftuara. Sopranoja Gjylie Pelingu, vjen për herë të dytë në Shkodër dhe pas 9 vitesh nga koncerti i parë, emocionet i ka përsëri të njëjta ndërsa pianistja tjetër po nga Mali i Zi, Merita Subashiq Shabanoviq vjen për herë të parë këtu.

Ester Kosar, mezzosopranoja tjetër e ftuar, vjen nga një vend me traditë muzikore si Republika Çeke por ajo po e zhvillon karrierën e saj në Britani ku jeton prej shumë kohësh.

Koncerti tërhoqi vëmendjen e nxënësve të pranishëm të cilët patën mundësi të dëgjonin veprat e kompozitorëve më të njohur botërorë përmes interpretimit të tre artisteve të ftuara.

Përgatiti: Marjo Gjini