Shqipëria është e mbushur me vende të bukura për t’u vizitur dhe jo më larg se 1 orë e gjysëm nga qyteti i Shkodrës, gjendet një port i vogël që të dërgon në një vend të magjishëm.

Përpara se të mbërrish në port apo ndryshe kalatën e trageve dhe varkave të Komanit është një tunel i gjatë që fare mirë mund të cilësohet si porta drejt pasurive ujore të Alpeve Shqiptare.

Që në orët e para të mëngjesit vëren turistë të shumtë, dhe pavarësisht se përshkojnë të njëjtin tunel, jo të gjithë kanë të njëjtin destinacion sepse prej aty mund të shkosh përmes lundrimit me traget në Fierzë e më pas Valbonë ose në lumin e Shalës, e që njihet si “Tajlanda Shqiptare”.

Nga Komani në lumin e Shalës udhëtimi zgjat rreth 75 minuta dhe rruga e vetme për të vajtur atje është ajo ujore përmes lundrimit me varka apo anije të vogla.

Mund ta quajmë pa mëdyshje si pjesa më e bukur e udhëtimit deri në destinacionin final.

Rrethuar mes malesh të larta që duket sikur prekin qiellin, ky lundrim ofron pamje të jashtëzakonshme duke nisur nga Alpet që qëndrojnë kryelarta dhe krenare, ngjyra e gjelbërt që vesh këto male dhe që reflekton edhe në ujërat e liqenit të Komanit ndërsa vëren se kjo rrugë ujore për shkak të rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë këto zona ka gjithnjë e më shumë anije dhe mjete të tjera ujore që lundrojnë në të dhe një fluks të shtuar të lundrimit të tyre nëpër liqen.

Rrugës ujore është edhe një ishull i veçantë të cilin vendasit e quajnë si Ishulli i Paqes ndërsa ishuj të tillë formohen për shkak të grumbullimeve të mbetjeve lumore.

Në një moment të udhëtimit, ndodhesh në një kryqëzim ujor ku njëri drejtim të çon për në liqenin e Fierzës e më tutje në Valbonë ndërsa tjetri në lumin e Shalës.

Pak pa mbërritur në destinacionin final është një tjetër bukuri natyrore, një shpellë ujore që magjeps këdo që e shikon nga afër ndërsa në këtë vend pak vite më parë bëhej plazh e kjo ndodhte për shkak të rënjes së nivelit të ujit.

Nuk i ngjan askujt për nga bukuria, ai është një dhe i vetëm, unik në llojin e tij. E kanë etiketuar si Tajlanda shqiptare por në fakt është thjesht “Lumi i Shalës”.

Kjo perlë me ujëra të kristaltë, e fshehur mes malesh nga viti në vit ka nisur të presë turistë nga qytete të ndryshme të vendit por edhe nga shtete të largëta.

“Unë vij nga Gjeneva në Zvicër dhe është hera e parë për mua këtu. Sapo kam mbërritur por po më duket shumë bukur, natyra thjesht madhështore.” – thotë kështu një turiste nga Zvicra.

Lumi i Shalës është një lum i përshtatshëm për të notuar dhe të kridhesh në ujin e kristaltë të tij është një nga kënaqësitë e të shumtëve që vizitojnë këtë vend.

Koli është nga Shkodra dhe ai një pjesë të madhe të kohës e kalon duke përshkuar itinerare të ndryshme me biçikletë nga më të lehtat tek më të vështirat por sot ai zgjodhi të lërë biçikletën e të kalojë ditën në lumin e Shalës.

Dita në lumin e Shalës kalon shpejt sepse edhe mundësitë për ta patur të larmishme janë shtuar. Lundrimi me kayak, shëtitja me kuaj, hiking duke shijuar natyrën dhe malet rrotull, muzikë nga deejay të ndryshëm, volejbolli apo sporte të tjera plazhi e deri tek aktiviteti më i ri Zip Line janë disa prej alternativave ditore që mund të bëni në këtë destinacion të mrekullueshëm turistik duke e shndërruar lumin e Shalës në një vend jo vetëm për natyrë e relaks por edhe për sport e aventura.

Ndryshimet pozitive që ka vit për vit në lumin e Shalës duke nisur nga shtimi i bujtinave që mirëpresin vizitorët e shumë të tjera bien në sy tek çdonjëri prej atyre që rikthehet këtu por në mënyrë të veçantë tek Kozeta, njëra nga gazetaret e para që ka realizuar një emision në lumin e Shalës rreth 13 vite më parë kur ai ende nuk kishte marrë famën që ka sot.

Lumi i Shalës josh këdo me bukurinë e magjishme të tij, jo vetëm turistët e thjeshtë por edhe artistët. Duket sikur ky vend është një muzë frymëzimi për ta.

Lumi i Shalës ka shumëllojshmëri peshqish në ujërat e tij por trofta është ajo që dominon më së shumti në ujërat e ëmbël të tij e për rrjedhojë edhe gatimet tradicionale me bazë troftën janë ndër ushqimet që mund të konsumoni kur vini këtu por mbi të gjitha çdo produkt është bio.

Nga viti në vit, rritja e numrit të turistëve ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në rritjen e numrit të varkave për lundrim si mjeti i vetëm për të vajtur në lumin e Shalës.

Pasi ke kaluar disa orë të bukura në lumin e Shalës vjen ai momenti kur duhet të kthehesh sërish dhe ti nuk e ndjen veten aspak të lodhur nga dielli i ditës por me plot adrenalinë nga soditja e peisazhit të këtij vendi dhe zhytja në ujërat e tij dhe ndihesh sërish gati për të përjetuar edhe njëherë tjetër atë lundrim që zgjat deri në mbërritjen sërish në portin e vogël të kalatës së Komanit.

Mund të flisnim edhe më shumë për lumin e Shalës por kjo le të mbetet për ata që duan të shijojnë muzgun e mbrëmjes ndaj nuk po i zbulojmë të gjitha por diçka mund ta themi: kjo pasuri e rallë në gji të Alpeve Shqiptare duhet mbrojtur e ne duhet të kujdesemi ta ruajmë këtë thesar të natyrës duke u munduar t’i respektojmë kapacitetet e saj e duke i shijuar gjërat me masë sepse po e humbëm nuk do të mund ta rimarrim më në të ardhmen.

Autori: Marjo Gjini