Fundjava ishte e zjarrtë në Shkodër ashtu si edhe rryma muzikore që përcolli grupi italian i rocker-ave në koncertin e tyre në Shkodër, të mbajtur në sheshin “2 Prilli”.

Tre anëtarët e band-it përpara disa vitesh ishin pjesë e bashkëpunimeve me shumë ikona të muzikës italiane si Vasco Rossi apo Ligabue ndërsa vokalisti i grupit, Luigi Signori vjen për herë të parë në Shkodër dhe qyteti i duket me shumë ngjyra.

“Jemi këtu në Shqipëri për të sjellë disa prej materialeve më të mira muzikore të Rock‘n Roll-it. Për mua është hera e parë që vij këtu dhe ajo që mund të them është se kam parë një shumëllojshmëri në qytetin tuaj duke nisur nga ushqimi e deri tek pikat turistike që kemi vizituar, mund ta konsideroj një qytet me shumë ngjyra, gjë që personalisht nuk e shikoja prej kohësh në vende të tjera ndërsa për publikun shkodran kemi zgjedhur të këndojmë këngët që kanë bërë histori në muzikën Rock kryesisht të viteve ’60 deri në vitet ’90 si ato të Led Zeppelin, Deep Purple, Black Sabbath, Eric Clapton, Jimi Hendrix pra klasikët e kësaj rryme.”

Për shkak të impenjimeve të secilit prej anëtarëve të grupit “Stolenwood” ku secili kishte vazhduar një karrierë më vete, ata u ribashkuan pas 4 vitesh sërish së bashku në skenë dhe Michelle Tellaroli tregon për ftesën që mori nga Luani, një mik i tyre i veçantë nga Shqipëria për të qenë në Shkodër.

“Ky ribashkim i yni po ndodh këtu në Shqipëri për shkak të një mikut tonë të veçantë nga Shqipëria që na bëri bashkë dhe që jemi njohur përpara një viti dhe ai dinte se çfare kishim sjellë në muzikën e Rock-ut italian dikur por edhe për faktin se ai na ka ndjekur vazhdimisht në performancat tona live dhe madje ftesën për të qenë këtu e kishim që vitin e shkuar dhe jemi këtu sepse e duam muzikën Rock’n Roll.”

Simone Marchioretti, anëtari tjetër i grupit thotë se kjo natë në Shkodër do të mbetet e veçantë për ribashkimin e grupit.

“Muzika Rock‘n Roll në Itali nuk po kalon një moment apo periudhë të mire, le të themi kështu edhe pse aktualisht grupi Manescin po bëjnë një punë të lavdërueshme por ne jemi për një muzikë të vërtetë të kësaj rryme, të papërpunuar e të modifikuar dhe kjo është ajo që na bëri sërish bashkë këtu dhe kjo do të mbetet një natë e veçantë për grupin tonë dhe kur Michelle na ftoi të treve sigurisht që isha gati.”

Edhe pse muzika Rock mbetet e preferuar për një publik më specifik të lidhur më shumë me këtë rrymë, koncerti i grupit italian ja doli të elektrizonte të pranishmit që nuk ishin vetëm të rinj por të të gjitha moshave me këngët më të famshme botërore, të kënduara që të gjitha në anglisht nga grupi italian “Stolenwood”.

Përgatiti: Marjo Gjini