Një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore për qytetin e Shkodrës por edhe më gjerë mbetet padyshim festivali “Luleborë”, i cili këtë vit do të zhvillojë edicionin e tij të shtatë ndërsa thirrjes së hapur për konkurimin publik të dorëzimit të këngëve të reja, të shpallur që në muajin maj për të gjithë ata autorë këngësh, kantautorë apo poetë të cilët do të dorëzonin materialet e tyre muzikore, së fundmi është bërë me dije edhe lista me 18 këngët e vlerësua nga komisioni i drejtuar nga dyshja e njohur që edhe për këtë vit do të vazhdojë të mbajë stafetën e drejtimit të festivalit Markelian Kapidani dhe Shpëtim Saraçi

Në listën e këngëve pjesëmarrëse përkrah titullit të këngës janë të shënuar edhe autorët e tyre pa përcaktuar ende të gjithë këngëtarët që do të jenë pjesë e këtij edicioni.

Megjithatë një pjesë e artistëve që do të këndojnë në skenën e teatrit “Migjeni” janë zbuluar tashmë duke qenë se janë përzgjedhur si kantautorë me materialet e tyre muzikore. Kështu bie në sy prania e dy artisteve të reja si Ana Bushgjokaj dhe Kristi Ndoja që do të marrin pjesë për herë të dytë në “Luleborë”. Po për herë të dytë, pjesë e festivalit do të jetë edhe këngëtarja shkodrane Leticia Gargjola, e cila vitin e kaluar mori pjesë për herë të parë teksa këndoi një këngë për Kafen e Madhe ndërsa edhe në këtë edicion do të vijë sërish si kantautore. As kësaj here nuk do t’i mungojnë festivalit materialet e emrave të njohur të muzikës shkodrane si Bardhyl Hysa, Gazmend Kraja, Roland Guli etj. për të mos harruar edhe emra që kanë vite që konkurojnë me materialet e tyre si ai i Enis Mullaj.

Festivali “Luleborë” ndonëse nisi si një festival i këngës kryesisht popullore, me kalimin e viteve ka pësuar ndryshime duke patur një qasje tolerante ndaj disa rrymave muzikore e duke u fokusuar më së shumti në këngët e muzikës së lehtë e kjo ka bërë që në të, të mos jenë pjesëmarrës vetëm artistët shkodranë por edhe përtej si përshembull artisti nga Gjakova Artan Bakija, i cili këtë vit do të ngjitet në skenë me këngën “O njeri” ndërsa bie në sy prania edhe e emrave të njohur të Festivaleve të Këngës si Orges Toçe apo artisti Joe Ardit Fejzo ndërsa festivali do të vazhdojë te ketë luksin e pasjes së një kompozitori si Osman Mula por edhe emra të tjerë të rëndësishëm.

Festivali “Luleborë” prej kohësh ka fituar statusin e një feste të muzikës për të gjithë qytetin dhe duket si një “paradhomë” e festivalit të madh të funditvitit ndërsa në vazhdim mbeten për t’u përcaktuar edhe datat e zhvillimit të tij.

©️ Marjo Gjini