Në fundjavë u zhvillua edicioni i VII i çmimit “Idromeno” teksa ajo që ra në sy ishte prania e artistëve të rinj me shtrirje nga i gjithë vendi ku njëra prej këtyre pjesëmarrëseve ishte edhe artistja nga Durrësi Ingrid Xheraj.
Ajo ndjek aktualisht studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën “Pikturë Kavaleti dhe Mësuesi” dhe ajo që e dallon artisten e re është bota e pasur shpirtërore dhe ndjeshmëria që përcjell me pikturat e saj. Megjithatë pasioni për pikturën i ka nisur që kur ishte fëmijë i vogël dhe ajo e kujton mjaft mirë edhe pikturën e saj të parë.

Iniciativën për të qenë pjesë e çmimit “Idromeno” e mori nga pedagogët në Akademi ndërsa konkuroi me një mozaik të madh pikturash që duket sikur “flasin”, e tek të cilat dallohen ngjyrat dhe optimizmi e ku bien në sy personazhet reale dhe ato imagjinare e ku të gjitha mblidhen bashkë për të sjellë një “produkt” me të vërtetë artistik. Ndonëse nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me Shkodrën, Ingridi thotë se e do këtë qytet dhe tek ai sheh detaje frymëzuese për pikturat e saj.
Gjatë bisedës me Ingridin kupton mesazhet inkurajuese që ajo kërkon të përcjellë edhe për të rinjtë e tjerë që duan t’i hyjnë rrugës aspak të lehtë të artit ndërsa thekson së në këtë fushë nuk duhet të ketë as limite dhe as tabu.
