Edhe kësaj fundjave nuk i munguan aktivitetet kulturore që nisën me çmimin “Idromeno”, të kthyer në traditë tashmë dhe që në këtë vit u mbajt edicioni i shtatë i tij në Galerinë e Arteve të Shkodrës.
Në të morën pjesë artistë nga i gjithë vendi me vepra artistike si pikturë, fotografi, instalacion apo multimedia.
Drejtuesi i galerisë, Fatmir Juka, evidenton si risi të këtij viti guximin për t’u shprehur të artistëve pjesëmarrës në garë që kësaj here ishin të gjithë të rinj dhe u takojnë pothuajse të njëjtës periudhë studimore.
Çmimi “Idromeno” këtë vit i shkoi artistit nga Lezha Bib Frrokaj me instalacionin me fotografi të titulluar “Metamorfozat e malit”, mesazhi i të cilës ka të bëjë me ndikimin e njeriut në habitatin natyror.
Fundjava u mbyll në bibliotekën “Marin Barleti” ku u promovua libri me poezi, skica, ese dhe thënie “Ujëvara e Shpirtit” të autores me origjinë nga Shkodra Marjana Sulejmani, e cila prej shumë vitesh banon në shtetin helen ndërsa ky është libri i tretë i saj.
Pjesë e takimit letrar u bënë edhe emra të njohur të letërsisë në Shkodër të cilët vlerësuan librin dhe autoren e tij Marjana Sulejmani për frymën që ajo përcjell.
©️ Marjo Gjini