Galeria e Artit në Shkodër rihapi dyert e saj pas pushimeve të verës për publikun e dashuruar me artin pamor. Edicioni i shtatë i çmimit “Idromeno”, një nga aktivitetet më të rëndësishme në kalendarin e saj për këtë institucion kulturor mblodhi artistë pjesëmarrës nga i gjithë vendi të cilët konkuruan në gjini të ndryshme si: pikturë, fotografi, multimedia apo instalacion.
Drejtuesi i galerisë, Fatmir Juka e cilëson të veçantë këtë edicion për shkakun se pjesëmarrësit janë të rinj dhe i takojnë të njëjtës periudhë formimi ndërsa guximi përmes formës shprehëse të artit është ajo që i karakterizon këtë vit.
Edicioni i shtatë i çmimit “Idromeno” me tematikën “Promises” u fitua nga artisti pamor nga Lezha Bib Frrokaj, i cili kishte sjellë në këtë edicion një kolazh fotografish të titulluar “Metamorfozat e malit” e cila shqyrton ndikimin e njeriut në habitatin që ka rreth tij.
Çmimi “Idromeno” do të pasojë një tjetër aktivitet të rëndësishëm për Galerinë e Artit të Shkodrës që është ai i Sallonit të Vjeshtës në muajin nëntor.
©️ Marjo Gjini
