Prej pasdites së djeshme ka nisur puna për vënien në skenë të një premiere të re në teatrin “Migjeni” dhe për t’i paraprirë kësaj u organizua komunikimi me mediat nga stafi dhe trupa e aktorëve.
“Zhurma përtej skenës” titullohet kështu premiera më e re që do të luhet prej trupës së aktorëve shkodranë nga muaji i ardhshëm me regji të Enke Fezollarit, aktorit dhe regjizorit të lindur në Shqipëri por të rritur në Greqi. Drejtuesja Rita Gjeka shpreh vlerësimin më të lartë për regjizorin e projektit më të ri në teatrin “Migjeni”.
Në fjalën e tij, regjizori Fezollari vlerëson emrin e madh që ka teatri “Migjeni” dhe traditën kulturore dhe artistike që ka qyteti i Shkodrës por edhe veçorinë e trupës shkodrane që përbën edhe arsyen kryesore të këtij bashkëpunimi.
Më tej regjizori Fezollari foli edhe për veprën e shkruar nga dramaturgu britanik Michael Frayn ku do të bazohet edhe premiera e teatrit “Migjeni”.
Enke Fezollari nuk është një emër i panjohur as në Greqi, vendin fqinj ku edhe është rritur pasi ai ka arritur të vërë në skenë atje edhe shfaqje tërësisht shqiptare.
Me përfundimin e konferencës, kasti i aktorëve më në krye regjizorin Fezollari nisi nga puna për përgatitjen e kësaj premiere.
©️ Marjo Gjini
