Biblioteka e qytetit “Marin Barleti” rihapi dyert pas pushimeve të verës duke ftuar në panelin e saj dy autore për promovimin e dy librave me pjesëmarrjen e gjerë të figurave dhe personaliteteve që e duan librin.
Libri “Recetat e Nines” me autoren shkodrane Diana Berki Saraçi është një përmbledhje me receta gatimi të zonjës Nine Shiroka, receta këto të shkruara në mënyrën e thjeshtë të komunikimit brenda familjes që i përkasin gatimeve tradicionale shqiptare dhe atyre italiane të kohës që mbërrijnë deri në vitin 1935.
Ndërsa libri tjetër i promovuar në bibliotekë ishte ai me titullin “Gjurmë perlash mbi shkëmb”, një monografi kushtuar zonjës Vitore Stefa Leka, shkrimtare, humaniste, e lindur në Berat si dhe anëtare e Këshillit të Lidhjes Shqiptare në botë, një monografi që mban për autore Kozeta Zavalanin nga Korça, e përzgjedhur edhe si një nga 26 gratë e shquara të botës dhe e vlerësuar me titullin “Ambasadore për Paqen”.
Në promovimin e dy librave referuan edhe shkrimtarë të njohur shkodranë ndërsa biblioteka “Marin Barleti” do të vijojë sërish me ftesa për autorë të ndryshëm librash për të qenë prezentë në mjediset e saj.
©️ Marjo Gjini
