Pas suksesit të shfaqjes për fëmijë “Pufi dhe Gufi” në gjysmën e parë të vitit, po ashtu edhe përgjatë muajve të nxehtë të verës, teatri “Migjeni” është gati për premierën e dytë të kukullave “Fyelli magjik”.
Kjo premierë e re vjen pikërisht tani me nisjen e vitit të ri shkollor dhe në konferencën e shtypit të ditës së sotme në mjediset e teatrit, e rrethuar nga trupa e shfaqjes, drejtuesja Rita Gjeka ftoi të gjithë nxënësit e cikleve të ulta ta ndjekin premierën “Fyelli magjik” me tekst të Edi Dedës duke mos harruar edhe t’i falenderojë prindërit e fëmijëve për interesin e treguar.
Shfaqjet e kukullave do të jenë si gjithmonë të dedikuara ditëve të shtunë dhe dielë në hollin e teatrit, megjithatë risia kësaj here ka të bëjë me faktin se stafi ka menduar të shkojë më afër fëmijëve duke përdorur kështu ambjentet e palestrave të shkollave të qytetit për të dhënë shfaqjen për ta.
Aktorja Dana Xhaj ndihet e kënaqur teksa do të rikthehet sërish me shfaqjet dedikuar fëmijëve të vegjël. Përveç premierës së shfaqjes për fëmijë “Fyelli Magjik”, teatri “Migjeni” do të vazhdojë të ketë një agjendë të ngjeshur me premiera dhe koncerte deri në fundin e vitit.
©️ Marjo Gjini