Shkodra është e njohur për vlerat historike që mbart dhe ky qytet numëron monumente të shumta kulturore dhe në kuadër të muajit shtator, i njohur si muaji i trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka prezantuar nismën e saj më të re të quajtur “Adopto 1 monument”.
Kjo nismë, është një ftesë e hapur për të gjithë gjimnazet e Bashkisë Shkodër, si shenjë e njohjes dhe ruajtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore, përmes realizimit te veprimtarive me karakter edukativ e kulturor, nga nxënësit e këtyre shkollave. Një nisëm që vjen në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2022-2023.
Kjo nisëm duket se vjen si rezultat i një bashkëpunimi në mes DRTK Shkodër, si iniciatore dhe ZVA Shkodër, dhe do të përqendrohet në shkollat e mesme, ku do t’i mbështeten në realizimin e një sërë veprimtarish për njohjen, ruajtjen dhe promovimin e objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Pjesë e nismës janë edhe prezantimi i leksioneve nga specialistët e trashëgimisë pranë DRTK Shkodër, si dhe biseda informimi për rëndësinë e monumenteve të trashëgimisë kulturore në veçanti ndërsa shkollat do të kujdesen për të sjellë në vemendje rëndësinë e tyre duke organizuar aktivitete periodike.
Sipas njoftimit publik, DRTK Shkodër bën me dije se thirrja e hapur për të qenë pjesë e nismës do të jetë deri më 20 shtator.
©️ Marjo Gjini
