Këto ditë të para të muajit shtator po mbahet festivali mbarëkombëtar i komedisë “Koko Fest” ku në të po marrin pjesë trupa teatrale nga e gjithë Shqipëria, mes të cilave edhe trupa shkodrane e teatrit “Migjeni”.
Festivali që po mbahet në Korçë prej datës 3 shtator do të vijojë deri në datën 10 të këtij muaji ndërsa përpara artdashësve korçare u prezantua mbrëmë trupa shkodrane, e cila në këtë festival zgjodhi të përfaqësohej me tragjikomedinë e regjizorit Altin Basha me titullin “Gjaja”.
Drejtuesja e teatrit “Migjeni” tregon arsyet e përfaqësimit të trupës shkodrane me këtë tragjikomedi ndërsa vlerëson edhe festivalin “Koko Fest” në fjalët e saja.
Regjizori Basha thotë se me teatrin “Migjeni” ka një njohje të vjetër dhe kjo është arsyeja pse vendosi që shfaqjen e tij t’ja besonte trupës shkodrane të aktorëve por edhe për një fakt tjetër që duket se ka të bëjë me dialektin që i qëndron mirë komedisë dhe aktorëve.
Duke qenë një tragjikomedi nuk është një mision i lehtë ta bësh publikun të qeshë por duket se spektatori i Korçës e mirëpriti dhe aktori shkodran Jozef Shiroka shprehet ë kënaqur me këtë fakt.
Kujtojmë se komedi e zezë “Gjaja” me autor Joe Orton u shfaq premierë për spektatorin shkodran më 8 qershor në teatrin “Migjeni”. Pjesë e kastit të aktorëve janë: Nikolin Fërketa, Pjerin Vlashi, Krist Lleshi, Jozef Shiroka, Simon Shkreli dhe Fritz Selmani.
Përveç teatrit “Migjeni” të Shkodrës në edicionin e 9-të të “Koko Fest” marrin pjesë edhe Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit, Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës, Teatri “Skampa” i Elbasanit dhe Teatri i Tetovës. Në përfundim të festivalit do të ndahen edhe çmimet me vlerësimet e jurisë.
©️ Marjo Gjini