Njëjtë si në vitin e largët 1883, dasma shkodrane erdhi sërish me të gjithë elementët e saj të traditës të ruajtura ndër vite por e sjellë në kohën aktuale përmes artistëve të rinj të talentuar të qytetit.
“E bajmë dasmën”, mbajti të mbërthyer në oborrin e shtëpisë muze “Oso Kuka” të gjithë të pranishmit për më shumë se dy orë me këngët tradicionale që janë kënduar e vazhdojnë të këndohen duke u përcjellë bukur brez pas brezi si vlera të mëdha të Shkodrës.
Risjellja e dasmës shkodrane përmes këngëtarëve të qytetit dhe grupit të instrumentistëve, e quajtur “Arkestra”, në këtë muaj që i dedikohet trashëgimisë kulturore në vend merr një rëndësi edhe më të madhe ndaj edhe drejtuesi artistik Lorenc Radovani, njëkohësisht edhe një ndër violinistët më të mirë në vend thotë se duhet bërë më shumë për ta institucionalizuar dasmën shkodrane në të ardhmen.
Ky ishte edicioni i dytë i dasmës shkodrane ku e veçanta e këtij viti ishte se të ardhurat e grumbulluara nga biletat do të shkojnë si kontribut për fëmijët me çrregullime të spektrit autik të moshës 7-14 vjeç.
©️ Marjo Gjini
