Ajo ka mbi 29 vite që jeton në qytetin e Astit në Itali dhe përgjatë këtyre viteve ka dhënë kontributin e saj si ndërmjetëse kulturore në shumë institucione të kësaj zone. Jeta dhe puna e kanë bërë Sabina Darovën të takojë njerëz të ndryshëm në Itali dhe kjo e ka bërë që të fiksojë përmes fotografive disa nga momentet kyçe dhe personazhet e përditshmërisë së saj në Asti duke sjellë kështu të parën ekspozitë fotografike të saj, të cilën vendosi ta quajë “Arrivo Accoglienza Asti” në mjediset e galerisë “Oda” në Shkodër.
Ekspozita fotografike duket se merr karakterin e një reportazhi të jetës në qytetin italian ku pamjet tregojnë për sfidat e shumta e të përditshme me të cilat ballafaqohen kulturat e ndryshme dhe për shumë njerëz të cilët kanë kontribuar në pritjen e emigrantëve e në mënyrë të veçantë në pritjen e emigrantëve në këtë qytet. Sabina Darova ka punuar 4 vite për këtë ekspozitë dhe ajo i ka realizuar fotografitë të gjitha me telefonin e saj dhe një vend të veçantë në këtë ekspozitë i është rezervuar grave refugjate të cilat kanë mbërritur në Piemonte në vitet e fundit.
Ekspozita tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, të cilët ishin të shumtë në numër dhe kishin zgjedhur të njiheshin nga afër me fotografitë e realizuara nga protagonistja e saj.
©️ Marjo Gjini