Kalaja “Rozafa” mbetet gjithnjë e preferuara e turistëve që vizitojnë qytetin dhe këtë duket se e konfirmojnë edhe shifrat më të fundit, sa i përket numrit të atyre që kanë zgjedhur për ta parë nga afër muret dhe hapësirat historike të saj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka publikuar shifrat e reja të vizitorëve të këtij objekti historik për muajin gusht, ku vërehet një shtim fluksi dhe rritje e jashtëzakonshme në raport me një vit më parë për të njëjtën periudhë të vitit.

Nëse gjatë muajit gusht një viti rreth 10657 turistë zgjodhën për ta vizituar kalanë “Rozafa”, në gusht të këtij viti e kanë vizituar atë rreth 16359 turistë ose 5702 vizitorë më shumë se një vit më parë.

Kalaja “Rozafa” mbetet kështu një nga destinacionet turistike më të vizituara në të gjithë Shqipërinë ku për periudhën Janar – Gusht 2022 është vizituar nga 69 mijë vizitorë.

©️ Marjo Gjini